Shën Kolli

Shën Kolli

20110728

Nga Janko Ll. Pali


Janko Ll. Pali lindi në 20 korrik 1898 në fshatin Çoban Ishah, të Izmirit (në Anadoll), vdiq më 12 shtator 1994. Janko LL Pali, emër i dashur e i njohur i Bregdetit Jon, i përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës, politikës dhe atdhedashurisë shqiptare.
Botime Historia e Qeparoit.



Kur grekët donin të merrnin Himarën

Himara ka qenë dhe mbetet një ëndërr për shovinistët grekë, të cilët, me çdo kusht donin ta kishin nën pushtetin e tyre, ashtu si dhe pjesën tjetër të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Dosja e sotme është pjesë e librit “Historiku i Qeparoit”, me autor njërin prej emrave më të shquar të kësaj krahine, Janko LL. Pali, (1898-1994), i cili për shumë dekada shërbeu në këtë zonë si edukator i disa brezave.
I shpallur “Mësues i Merituar”, vetëm pas viteve ’90, autori sjell në këtë historik të shkurtër vitet e trazuara të krahinës shqiptare, e cila u pushtua nga andartët grekë, dhe pushtuesi bëri të pamundur për ta mbajtur nën thundrën e tyre pushtuese, duke dorovitur me pushtet dhe pasuri bashkëpunëtorët vendas, duke na sjellë sot, gati një shekull më vonë, një paralelizëm me ato çfarë synojnë të bëjnëqarqet shoviniste me Himarën e bukur shqiptare.
Në kohën që po rrija pa punë në shtëpi, pas ardhjes sime në pranverën e vitit 1921 nga kurbeti, u bë bashkimi i krahinës sonë me qeverinë qendrore të Tiranës, në bazë të marrëveshjes që u bë asokohe në Korfuz, midis përfaqësuesve të shtetit shqiptar dhe të atyre të “Krahinës Autonome” të Himarës.
Ajo kish qenë nën kryesinë e Niko Spiromilos, të vëllaut të majorit të xhandarmërisë greke Spiros, që më 5 nëntor të vitit 1912, zbarkoi në Spile të Himarës me një fuqi të vogël andartësh grekë dhe pushtoi fshatin e Himarës, ku qëndronte një garnizon i vogël turk. Ai kërkoi dhe paritë e fshatrave të tjera të krahinës që vanë e u lidhën me të e u dorëzuan ndaj pushtimit grek.
Kjo ndoshta plotësonte dhe dëshirën e ndonjë pjese të mjaftë të popullatës së krahinës që kish qenë e helmatisur për një kohë të gjatë prej shkollave greke dhe prej propagandës së kishës me Patriarkanën e Stambollit në krye.
Zbarkimi në Himarë u shërbente mirë edhe familjes së Mile se do të u praroste tash e tutje bllastronin e veshkur me të idesë së tyre fillogreke, po dhe në anën tjetër do t’i shërbente luftës së Greqisë si një diversion për luftën që bëhej në atë kohë në malet e Janinës, Bizhan, Shën Nikoll, Manolasë, për të pushtuar atë qytet, që jipte preludin e ndonjë zbarkimi të dytë më të rëndë aty, me qëllim që t’u merte krahët ushtrisë turke për të mbrojtur Janinën dhe ta vinte në mes dy zjarresh.
Po zbarkimi dhe pushtimi i krahinës prej grekëve dha shkas që të mos shihej me sy të mirë prej një pjese të shëndoshë të popullatës, e cila shihte në të një ngjarje jo fort interesante për vendin, sepse do çonte në armiqësimin e fshatrave tona me të gjitha fshatrat muhamedane, prej të cilëve krahina jonë është e rrethuar.
Në fshatin tonë, Miço Leka, krushk me Miljat e Himarës u shfaq i kundërt për pasojat që mund të kishte më vonë. Po ashtu edhe Nine Guma, po këtej, për të treguar mospajtimin e tij vuri mbi kokë të tij një qylaf të bardhë, si shenje proteste për greqizimin e vendit me de fakto pushtimin e tij nga greku, që nga Qeparoja e deri në Palasë.
Por, majori dinak grek luajti një politikë të përshtatshme dhe filloi të organizojë organikën e pushtimit dhe vendosi në çdo fshat nga një person të tijin si kryetar të garnizoneve që do shërbenin për të ruajtur vendin karshi ndonjë të keqeje nga jashtë krahinës. Në fshatin tonë vuri Polimer Polon që e kish kunat (burrë motre), në Dhërmi caktoi Simo Zhupën që e kish vëlla të të ëmës, ndërsa në Vuno mund të mbështetej te Spiraj, me të cilët ishte krushk, se vëllai Jani ishte dhëndër në atë familje. Më vonë edhe në Kuç (se arriti deri atje) pati caktuar si kryetar të bashkisë Kadri Gjolekën nga familja e dëgjuar e atij fshati.
Në Himarë vetë, kishte kundërshtarë Dhimitër Andruci, Dr. Jani Rrexhua dhe Miço Karaj, që s’kishin qenë askurrë pajtuar dhe më parë me familjen e Milo Janit, atit të tij. Kohën e parë të pushtimit, ata të tre treguan mospajtimin e tyre me të, duke mos i shkuar për t’a mirseardhë, siç bënë gjithë të tjerët, po “mysafiri” pushtues, dinak siç ishte, po dhe në interes të ndërmarjes që kish filluar, mbas pak kohe filloi e mikloi se donte të miratohej nga të gjithë iniciativa që pati marrë dhe politikisht, po dhe për të fituar mall e lavde dhe të ngrinte prestigjin e familjes që nuk ishte më në pajtim me pretesionet e saj si oxhak, për aktivitet të plogët shoqëror të atit të tyre Milos.
Kështu që, Dr. Rrexhon e miqësoi duke e afruar e pranuar si mjek zyrtar në vend, po dhe për nevojat e detashmentit (se s’kishte dhe tjetër). Miço Karanë e emëroi drejtues të zyrës doganore të Spilesë. Thuhet se dhe djalit të këtij i dha bursë, e kështu ia mbylli gojën. Vetëm Dhimitër Andruci nuk deshte askurrë të pajtohej me të dhe mbajti një qëndrimkrenar, duke mos ju afruar kurrë …oborrit të tij, ku interesi dhe dallkaukllëku kish tërhequr polemin e vendit.
Në fshatin tonë kur u informua se krushku Leka ish shprehur keq, e mori me të mirë dhe i emëroi djalin Polo si doganier në limanin e Kastrisë, ashtu si dhe dhëndërin e tij Miço Dhramin si roje dogane. Theotoq Spirogjika nga fshati jonë, duke parë këtu një lloj akraballëku, si shenjë proteste, thonë se qëlloi me pushkë drurin ku varej flamuri i Greqisë në Kastri dhe nga kjo u emërua edhe ky gjithashtu roje dogane.
Të tre këta tanët, e mbajtën detyrën dhe më vonë kur ushtritë dhe pushteti grek u larguan definitivisht nga vendi, shkuan dhe ata në Greqi, ku e ushtruan për gjithë jetën e sa dualën në pension me atë punë .Po organizimi civil nuk mjaftonte në krahinë që ta bënte pushtuesin të arrinte qëllimet që pati. Ishte nevoja të organizonte dhe mbrojtjen e vendit dhe të sigurohej nga ndonjë sulm eventual të popullsisë muslimane të fshatrave përreth Kurveleshit e të lumit të Vlorës, që nuk e panë me sy të mirë ardhjen e Junanit në afërsi të vatrave të tyre. Ai mobilizoi pjesën më të madhe të popullsisë, e armatosi dhe i urdhëroi që çdo fshat të ruajë kufijtë e tij me çetën e vet.
Këtu u ngarkua si komandant çete Polimer Leka, vëllai i dhëndrrit të tij Naqes, që bashkë me Jani Milon, të vëllanë e pushtuesit, kaluan tërë dimrin e vitit 1912 në malin e Çorre, bashkë me një rreshter të ushtrisë greke të rregullt, si komandant zyrtar, që më vonë rasti e solli që t’a njoh me gradë nënkolonel komandant në kampin e përqëndrimit në Pire, siç më ngjau.
Krahina jonë, pra, e pushtuar dhe e organizuar tani për mbrojtje me elementin vendës, që ishte shtuar, se me thirjen për shpëtim të “Partridhës” që kish pas drejtuar pushtuesi, një sasi e konsiderueshme “patriotësh” në mërgim në Greqi, Francë a gjetkë, kishin ardhur dhe ishin inkuadruar në çetat e ngrehura, nuk vonoi dhe priti sulmin e parë të lebërve.
Në janar 1913, një sasi e konsiderueshme bashibozukësh nga fshatrat rreth dhe nga lumi i Vlorës sulmuan Pilurin, taborrin mbrojtës të tërë jetës së Himarës. U luftua atje një ditë e një natë dhe megjithëse fuqitë e vendit qenë të pakta, në krahasim me ato të sulmuesve, këta nuk mundën të depërtonin dhe të pushtonin Pilurin, të vareshin poshtë e të bënin të tyren qendrën e “epikratisë së Spiromilos”. U derdh aty gjak lab dhe u plagos ndonjë nga tanët dhe andarti Kacigari nga Kreta.
Shpallja e indipedencës së Shqipërisë më 28 nëntor të atij viti, d.m.th., njëzet e tri ditë pas pushtimit grek të krahinës sonë, nuk u duk se trazoi shumë vendin, se s’u duk ndonjë shenjë a ndonjë ngjarje që të tregonte ndonjë send për të shënuar. Vlora me Ismail Qemalin merrej me organizimin e shtetit të shpallur të pavarur, ndërsa bregdeti vazhdonte të mbronte kufijtë nga rreziku eventual i ndonjë sulmi tjetër më të rrezikshëm.
Kufijtë pra ruheshin me kujdes nga veriu dhe nga lindja. Në një ndeshje të rojeve tona në qafën e Llogorasë ishte vrarë Kosta Jani nga Himara me dy tre shokë nga lebërit e asaj ane. Pushtimi i Janinës në shkurt të vitit 1913, qe një ngjarje me rëndësi, se tani s’mbetej më gjë për ushtrinë greke, veç se të marshonte ndaj veriut dhe të pushtonte krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës që, së bashku me ata të Himarës, tashmë e pushtuar, do formonte atë pjesë të Epirit, mbi të cilin kishin hedhur prej kohësh sytë dhe tani po plotësonte ëndrrën e lakmuar.
Me ngjarjet që ndodhën në të, mori një emër të urryer që dhe sot vazhdon të përmendet në analet dhe në pretendimet e pavend të fqinjit tonë të jugut. Ushtritë e grekut, tani pa pengesë, pushtojnë vendin dhe organizojnë mbrojtjen e pushtimeve të tyre me kufi lumin Vjosa dhe qafën e Llogorasë, por jo më tutje, sepse shpallja e vetëqeverimit të Shqipërisë ua pati prishur planet e tyre djallëzore të “Megal-idesë”.
Kufijtë ruheshin këtej nga ne dhe atje nga roje të shtetit te ri. Mbërritja e ushtrisë së rregullt greke e shkriu pushtetin andarteks të Spiro Milos dhe në fshatrat tona u vendos rendi i ri me post-komanda xhandarmërie dhe pushteti civil që, dalëngadalë filloi të kryejë të gjitha funksionet.
Për mbrojtje të vendit u organizua mobilizimi i popullsisë dhe dhjetra djem të vendit shkuan të kryejnë shërbimin ushatrak në Gjirokastër, nga ku shpërndaheshin në pikat e ndryshme të kufirit greko-shqiptar dhe kjo vazhdoi kështu deri sa Fuqitë e Mëdha vendosën në Firence të Italisë, kufijtë e shtetit tonë deri në hundën Stillo për karshi Korfuzit.
Ky vendim i detyroi grekët të tërhiqen nga zaptimi që i kishin bërë famëkeqit Vorio-Epir, nga i cili s’u bënte zemra të largoheshin. Po ikën dhe lanë vendin në gjendje kaotike në dimër të vitit 1913. Brenda atij viti ata ranë përsëri në luftë me ish-aleatët e tyre bullgarë që donin medoemos të qëndronin e të sundonin qytetin e Selenikut.
Po në pranverë të vitit 1913, Kurveleshi i poshtëm dhe lumi i Vlorës, të nxitur dhe nga shpallja e lirisë në Vlorë e të revoltuar që Junani qëndronte ende në bregdet, vendosën edhe një herë tjetër ta sulmojnë e ta dëbojnë nga vendi. Në mos gënjehem, fuqi të grumbulluara në Kuç i ranë përsëri Pilurit dhe këtë herë do kishin depërtuar e do kishin zbritur në vetë Himarën, me gjithë qëndresën e fortë që iu bë nga gjithë burrat e Himarës dhe të Pilurit e ndonjë çete tjetër nga fshatrat e tjera Qeparo e Kudhës, e ndosha dhe vunë që të gjithë të binin në luftë, se e kishin të drejtë se luftonin për vatan e për familjet e veta.
U vranë aty edhe nga Piluri, po u plagosën ato ditë dhe Naqe Aliu, Kiço Sava, Leko Kosta, nga Qeparoi dhe të tjerë nga fshatrat e tjera që kishin marrë pjesë në atë ndeshje. Po tamam në këtë kohë që luftohej në Pilur dhe Vanovë, qeveria provizore e Vlorës me Ismail Qemalin ishte vënë në dijeni se Kurveleshi po luftonte Himarën. Ajo u shqetësua dhe dërgoi urdhër në Kuç që të pushohej lufta menjëherë, se çastet janë kritike, se ende Shqipëria nuk ka kufi të caktuar dhe s’është e leverdishme që Europa të informohet (grekët bënin çdo gjë kundër neve) se shqiptarët bëjnë vëllavrasje.
Ky ka qenë një gjest politik i dorës së parë dhe fuqitë e grumbulluara nuk e bënë fjalën dy dhe u tërhoqën nga terreni i pushtuar i Vanovës dhe nga kodrat e Pilurit, dhe pas kthimit në Kuç, u shpërndanë nga kishin ardhur. Pikërisht atë ditë është vrarë dhe Kiço Nikollori, rrugës që shkonte për Kudhës, nga një plumb i ftohtë që vinte duket nga shumë larg, kështu që ai nuk mundi më të shkonte aty për ku ishte nisur.
Siç thamë, vendimi i Fuqive të Mëdha për largimin e trupave greke nga Epiri që ish inkuadruar brenda kufive të shtetit të tonë të ri, i bëri që të mendojnë një marifet, me qëllim që sundimi i tyre në trevën e kontesuar, të mos zhdukej.
Kështu ata menduan të largojnë fuqitë e tyre të armatosura, po lanë në krahinat që zbrazën, kuadro të ushtrisë së tyre dhe shpallën botërisht se Korça, Gjirokastra e Himara nuk pranojnë vendimin e dhënë dhe organizohen në mënyrë që këto të shpallen autonome me emrin “Autonomia e Vorio- Epirit”, nën kryesinë e Kristaq Zografos, një renegat nga Qestorati dhe me një qeveri provizore me pjesëmarrjen e Spiro Milos për xhandarmërinë dhe kolonel Dhulin nga Nivicë-Bubari, të ushtrisë greke, si ministër i Luftës së saj, pjellë të intrigës së Greqisë.
Në historikun e fshatit tonë, në faqet XV deri VXIII, kam pas shkruar diçka për mbi atë krijesë, famëshuar e nga dëmet që rrodhën prej saj, për një kohë të shkurtër, që u mbajt më këmbë, që nga hinderlandi i Vlorës e deri në Korçë, që nga shkurti i vitit 1914 e deri sa pushoi së qeni, dhe kjo u realizua mbi një vit kur Greqia bëri mobilizimin për t’u futur në luftë përbri aleatëve, Francës dhe Anglisë, në Luftën e Parë Botërore.
Qeveria Greke e Venizellosit, me mobilizimin e bërë, e zgjati përsëri pushtimin e trevave tona, i inkurajuar, duket dhe prej aleatëve. Po , mbreti Kostandin nuk donte t’i shpallte luftë Gjermanisë, se ish dhëndrri i kajzerit dhe qeveria ra. U bënë zgjedhje të reja dhe fituan kundërshtarët e Venizellosit, por krahinat tona mbetën përsëri të pushtuara nga grekët, deri sa Italia, e joshur prej traktatit të Romës, i braktisi shokët dhe hyri në luftë në maj të vitit 1915.
Ushtritë e saj zbarkuan në Vlorë dhe zaptuan gjithë vendin deri në Janinë, por më pas u tërhoqën dhe mbetën tej Vjosës në vijën e kufirit të parë greko-shqiptar. Traktati i famshëm i Londrës, i paskësh dhënë të drejtë Italisë të pushtonte Vlorën dhe hinderlandin e saj për shpërblim të tradhtisë që u bëri shoqeve të saj, perandorive qendrore Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë! Këtë traktat të fshehtë e nxori në dritë Revolucioni Rus që publikoi aktet e marrëveshjet sekrete, që kancelaria e Carit kish bërë me aleatët.
Me zbarkimin e Italisë, aleatët urdhëruan Greqinë të tërheqë forcat nga Vorio-Epiri dhe me shumë dredhira, kjo u arrit në verë të vitit 1918 dhe tani italianët u ndjenë të sigurtë se Toskëria u bë e tyre. Po nuk i kishin bërë mirë llogaritë, se zot në vend qenë vetë populli dhe kur u ngrit ky e kërkoi largimin e tyre, ata nuk deshën, por u shtrënguan nga lufta që u bëri populli dhe ehodhen në det. Muza popullore e ka kënduar mirë dhe ngjarjen e thotë:
Ç’është kështu që dëgjojmë
Bëhet dyfek në Vlorë
Shqiptarët luftojnë
me një mbret dyzet milionë…


----------------------
Janko Pali, ka qenë i tillë, sepse duhet ta ketë ndjerë, që rrënjët e fisit të tij, kanë qenë prej soj, të ngulura thellë në një memorje kolektive, e cila është trashëguar nga brezi në brez.



Natyra i jep deri diku çdo qënie shëmbellesën e saj. Edhe njeriu si krijesë, i merr vetëvetiu jo pak shembellësën natyrës. Ndaj dhe jeta në malësitë e thella, i ka berë njerëzit të fortë si shkembinjtë, kreshnikë në pamje, bujarë e mikpritës, të gatshëm të ndajnë me ty gjithshka që ata kanë.
Bregu i detit, ndryshe nga malësitë e thella, është përplasur gjithmonë me qytetërime të ndryshme dhe banorët, nëpër shekuj, kanë ditur të zgjedhin gjithçka u është dukur më e mirë, më e volitshme. Por, kur zoti të ka dashur shumë dhe t’i ka dhënë të dyja, edhe malin edhe detin… Ky është padyshim një privilegj i madh.
Kishte vite që dëgjoja e lexoja për euroditin, etnografin, historianin, pëkthyesin dhe mesuesin e palodhur Janko Pali, ndaj dhe më ishte zgjuar një kureshtje, si të thuash, kryengritëse, jo vetëm për të mësuar më tepër mbi këtë figurë të madhe poliedrike, por më ishte ndezur keq dëshira për të njohur edhe vendin ku ky personalitet kishte le, ishte rritur dhe kishte kaluar një jetë të tërë me punë të palodhur si mësues, përkthyes e hulumtues, etnograf... mbi prejardhjen dhe lëvizjet e fiseve te Bregut të detit.
Në verën e vitit 2010, m’u dha mundësia të pushoja dy javë në Qeparo, i mirëpritur nga miku im, shkrimtari dhe poeti Petraq Pali, djali i Janko Palit, i cili, bashku me Kristinën, të shoqen e tij fisnike, na hapën bujarisht jo vetem derën e shtëpise, por edhe zemrën e tyre të madhe me përkujdesjet e jashtëzakonshme.
Kur e pashë për herë të parë fshatin e vjetër, Qeparo, është pak të them, që pamja e tij më befasoi. Atherë, jam menduar gjatë dhe pastaj i kam thënë vetes, që mësuesi i populli Janko Pali, gjithë vepra e tij e madhe, nuk mund të kuptohen tërësisht pa njohur vendin ku ka lindur dhe është rritur kjo figurë.
Sepse krenaria jonë, krenaria e gjithësecilit, duhet të burojnë jo vetëm nga atributet që ka njeriu si njeri, por edhe nga vendi nga i cili ai vjen.
Janko Pali, ka qenë i tillë, sepse duhet ta ketë ndjerë, që rrënjët e fisit të tij, kanë qenë prej soj, të ngulura thellë në një memorje kolektive, e cila është trashëguar nga brezi në brez.
Sepse Qeparoi i lashtë, në pamje të parë, ku bjeshkën dhe detin i ndajnë vetëm pak minuta ecje në këmbë, duket si një vendbanim perëndish dhe jo njerëzish.
Vendosja e fshatit mbi një rrafshnaltë që mbaron si një grusht prej shkëmbi mbi humnerë, më dha të kuptoja, që banori i parë, ai që hodhi aty të parat themele të një shtëpie të thjeshtë, apo qoftë edhe të një stani të vogël, ka qenë një gjeni, një strateg ushtarak i mbrojtjes nga rreziku.
Ta studiosh terrenin gjithandej, në asnjë pozicion tjetër, nuk mund ta gjesh një pikë kaq strategjike, nga ku, mu si një shqiponjë, mund ta kontrollosh vendin në të katër anët.
Tashmë, pothuaj i braktisur nga njerëzit, tashmë, që nuk e ka atë gjallërinë e dikurshme, Qeparoi i vjetër duket si i mveshur me një tis hyjnor, me një frymë shënjtërimi, jo vetëm për paraqitjen artitekturale të ndërtesave të bëra me gurë të gdhendur, të rrugicave të shtruara me kalldrëm, që shtrihen dhe takohen pastaj të gjitha në një pikë, por sepse prej aty, njeriu ndjehet jo vetem zot i tokës, por edhe zot i qiellit.
Mësuesi i popullit, Janko Pali, punoi një jetë për të ndriçuar me dritën e mendjes së tij, brezat njërin pas tjetrit, që t’u ngjallte e të përcillte tek të tjerët ato imazhe reale krenarie shqiptare, atë konstrukt shpirtëror, që dallgët e kohës kanë lënë, si të gdhendura në shkëmb mbi ato vise perëndie (Sic i ka përkufizuar me të drejtë i biri, Petraqi).
Dhe ia doli me sukses, ndaj, jo vetëm Qeparoi, por gjithë Bregu i Detit, gjithë shqiptarët, do ta kujtojnë prore Janko Palin me nderim e respekt.(Ramiz Gjini)




******
NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË NJË GJENIU






E njihnim në tërësi biografinë e mësuesit te merituar Janko Pali, nga fshati Qeparo i bregdetit të Vlorës, nëpërmjet shkrimeve të shumta të birit të vet, Petraq Pali.
Duke lexuar Autobiografinë, mëson hollësitë e jetës së tij të gjatë, gati shekullore, dhe hap pas hapi, futesh në kalvarin e një jete të thjeshtë e të ndershme, po gjithnjë heroike, të një shqiptari të vërtetë, në luftë për mbijetesë, në kapërcimin e vështirësive të shumta e të pazakonta.
I ngelur jetim jashtë atdheut qysh në moshën 20 muaj, Janko Pali , nën kujdesin e nënës së tij u mëkëmb dhe i rezistoi rrebesheve 97 vjeçare. Këtu, së pari spikat vendosmëria dhe zotësia e nënës se vetë dhe këtu duket se është zanafilla dhe gjeneza e kësaj çudie shekullore, që u përcoll te i biri.
Janko Pali e kaloi mundimshëm jetën e tij të gjatë. U përpoq të shkollohet në nivelet maksimale të mundësive financiare e të kohës që i ngelej në dispozicion, duke vazhduar me radhe shkollën fillore, te mesme e deri vite universiteti për inxhinieri elektrike, duke marrë diplomë oficeri dhe mësuesi. Përfiton 10 profesione, duke qenë politeknik i mirëfilltë që nga nivelet e thjeshta të mekanikut, elektrikut, drupunuesit, këpucarit, guzhinjerit, rrobaqepësit, e deri të shënjuesit e modelistit. Përvetësoi 9 gjuhë të huaja, duke përfshire dhe “esperanton”, që u tentua te behej gjuhë ndërkombëtare. I binte mandolinës dhe kitarës dhe ishte shok dhe bashkëpunëtor i afërt me bilbilin e Himarës, krijuesin dhe këngëtarin e “vajzës së valëve”, perlës së polifonisë shqiptare. Ai, ka sajime dhe krijime muzikore të bëra në atë shkallë cilësorë sa të kënaqte dëshirat personale dhe të rrethit të amatorëve të vet. Fletore të tëra muzikore me nota e pentagram, të sjella qysh nga Franca, i interpretonte me dëshirë, duke lexuar lehtësisht partitura me çdo lloj muzike, pra e dinte gjuhen e notave dhe e ndjente atë në shpirt, aqsa, sa here kishte lodhje a mërzi, ishte pikërisht kitara dhe mandolina, radioja dhe gramafoni i markës PAFE, që qetësonin dhe e relaksonin. Dhe, mendoni, kjo ndodhte në një fshat të Shqipërisë së prapambetur, kur bashkëfshatarët e dëgjonin mësuesin e tyre të jashtëzakonshëm me adhurim e çudi. Ndërkohë tingujt e asaj mandoline të magjishme ngelën në kujtesë në dekada, për pleq, plaka, burra, gra te rinj e te reja, që atje majë fshatit, te rrugica e kalldrëmtë, ndalonin hapat, kur nga ballkoni, dëgjonin tingujt e ëmbël, qe nxirrte ajo mandoline e vjetër pa ndërprerje, qysh nga viti 1928 deri në 1990, çka i mbushte me shpresë, besim e dashuri, për mos ta braktisur Atdheun e tyre të dashur.
Duke qenë për një kohë shumë të gjatë në arsim si mësues, metodist, inspektor e drejtor në disa shkolla, në mbarë vendin dhe deri ”mësues i merituar”, për 37 vjet, Janko Pali, ka bërë përpjekje të pareshtura për kualifikim dhe për të ndjekur në kohë ndryshimet, kjo edhe falë njohjes gjithnjë e më mirë të shumë gjuhëve të huaja si frëngjisht, italisht, greqisht gjermanisht e deri rusisht. Kjo i ka dhënë mundësi për të qenë një metodist i njohur në mbarë vendin si dhe një edukator pasionant i brezave të tëre nxënësish, duke u krenuar për pasardhës të shquar deri inxhinierë, mjek e ushtarak.
Janko Pali ka qenë punëtor e prodhimtar i palodhur gjithë jetës, çka duket me volumet e pafundme të krijimtarisë së tij si shkrimtar e historian, hartues tekstesh shkollore dhe esesh pedagogjike e sociale shkencore, si dhe nj fjalori universal frëngjisht-shqip. Kjo duket edhe nga që Petraq Pali, biri i tij, që si rralle djem te tjerë të kësaj kohe, i ka treguar kujdesin dhe respektin që meriton, çka shihet nga koha dhe shpenzimet financiare qe i kushton babit të vet, që ja ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk i rresht përpjekjet për ta vendosur në piedestalin që meriton.
Me rëndësi të posaçme për historinë e vendit tonë e sidomos për trevën e Himarës, janë hulumtimet serioze të bëra për të zbuluar dhe përkthyer nga historiografia greke, i origjinës autoktone shqiptare të banorëve të këtyre zonave. Është ky fakt, që ndonjë kundërshtar i tij e është përpjekur më kot për ta vendosur në pozicione nënvleftësuese e deri denigruese, Janko Palin, këtë pionier të arsimit shqiptar, me merita të pakontestueshme edhe si historian, folklorist, poet dhe tregimtar.
Qëndrimi dhe sjellja morale, politike e shoqërore e Janko Palit është një tjetër model përsosmërie:
Pamja, veshja, shtatëlartësia e tij, të bënin përshtypje që në shikimin e parë. Rregullsia dhe regjimi ditor e bënin për tere jetën te qe një njeri sistematik e të kompletuar. Burrë kolos, në sjellje dhe në paraqitje, i bukur, me sytë blu. I ditur, i mënçur, dashamirës, i qeshur dhe serioz , do të thoshin për të, ata qe e njohën nga afër.
Mësuesi, siç tregojnë bashkëkohësit, qe i kudo ndodhur dhe pa qibër. Ai nderonte trapezet, në gëzimet dhe hidhërimet. Në dasmat e fshatit shpërthente vrulli i tij: kërcente dac çift si në Evropë, qe valltar i shkathët dhe i rrallë. Në kohen kur analfabetizmi kish hedhur rrënjë kudo, ai të impononte ta dëgjoje me vëmendje, dhe në vaki e vdekje të rënda gjente fjalë e argumente lehtësuese , sa i zoti i shtëpisë e donte dhe e ftonte për natë mësuesin e ditur, që sikur ia largonte me fjalë dhembjen e madhe.
Prezenca e tij te impononte respekt, atë e donin te gjithë pa përjashtim i madh e i vogël, ai ishte etaloni i së mirës, ai ishte futur në zemër të qeparotasve dhe banorëve të krahinës se Himarës, jo vetëm pse jetoi gjate, por fjala e tij brilante e mendshme, e urtë, domethënëse, shpresëdhënëse, e matur e zgjuar, hodhi rrënje të thella tek kultura dhe sjellja e bashkëmoshatareve dhe te dhjetëra breza nxënësish të tij. Ai punoi gjithnjë me kujdes e maturi dhe ishte për çdo gjë i drejtë, i saktë dhe i kompletuar.
Mësuesi Janko Pali nuk kish kufi kohore kur shkruante e punonte, e raciononte kohën dhe asnjë minutë nuk ikte pa produkt, nga mosha e re e deri sa vdiq. Askush nuk e pa atë dhe kur ishte shume i plakur, në inaktivitet dhe me tespihe dembeli në dorë, si shumë të tjerë, por veç se me laps e me letër, me libër në duar e nëpër çanta, në xhepat e xhaketës e kudo dhe, në vend të tespiheve, me fjalorë të vegjël nëpër duar. A është ky një realitet që s’duhet mohuar e që flet për një njeri të pazakontë, në kufirin e përsosmërisë gjeniale?
Kjo, siç kujton dhe biri i tij, Petraq Pali, “duket dhe nga regjimi ditor i punës: Për çdo dite, në ditë e vjet, gjithë jetës, çohej shumë shpejt, nga ora 5,30 e mëngjesit, në çdo kohë, në çdo mot, në cingor, në të ftohtë, në shi e dëbore, kudo ku ishte në fshat, në hotel, në Vlorë, tek ne fëmijët e tij , ai, do ishte para çezmës, musllukut, llastikut, kënaçes dhe lante kokën me ujë të ftohtë me shkumë nga mezi e lart për ditë, dhe asnjë ditë nuk harronte pa larë mirë e fort dhembet, në mëngjes dhe në mbrëmje., (kur qe periudha e portokallieve a limonëve çdo dite pinte një gote me lëngun e tyre, në mëngjes, për sa kohë qenë ato, para se të bënte xhiron e mëngjesit)…ndërrohej çdo ditë me ndërresa të lara, të hekurosura e të pastra, qysh nga çorapet, këmishë, kostum, kollaren. Këto veprime i bënte me shume kujdes edhe shpejt si ushtarak, dhe gjithmonë mbahej e vishej me bukur se e djeshmja, gjë qe e shprehte shpesh edhe me ne, për të larguar dembelizmin tonë. Dilte nga shtëpia nga ora 6,15 dhe përshkonte një rrugë te gjatë deri gati 5 km, në kufi me Borshin karshi detit, ne ajër te pastër të përzier mal, edhe det, në “Kundruall*”, Atje deri tani vazhdon të quhet vendi “Botoni mësuesit” tip shpellë e vogël, ku pushonte i kujdesur të mos e zinte era dhe atje, në këtë vend të shenjtë për të në mijëra orë, mësuesi lexonte e shkruante, në atë mrekulli panorameske qeparotase, që ai e quante vendit më i këndshëm i botes. Kur qe në mësim, në orën tete pa çerek, kthehej për në shkollë mbasi kish nderuar kanatjere e ndërresa, vishej posaçërisht, pinte kafen e mëngjesit dhe në orën e caktuar shkolla qe e rreshtuar dhe klasat dhe mësuesit, ishin gati ti paraqisnin këtij drejtori kërkues, rregullsinë që kishte kultivuar me punën këmbëngulëse dhe sakrificat e tij shumë vjeçare...”



Mësuesi qeparotas Janko Pali ishte patriot dhe e desh shumë Shqipërinë, vendin e tij të dashur e të shumë vuajtur, duke e vënë atë mbi çdo gjë, pa pasur asnjëherë tendenca e qëndrime politike sektare. Kjo vërtetohet si me qëndrimin e tij, me veprën e shkruar ne proze e poezi, me përkthimet për historinë e vendit te vet e deri të riteve ungjillore dhe të qindra letrave për bashkëfshatarët dhe krahinarët e tij. Ai, asnjëherë nuk ju vu kundra politikave sociale te shtetit të vet, duke qenë gjithnjë përkrahës i ndryshimeve dhe i përhapjes se risive të përparimit, në përshtatje me kulturën e tij të gjerë perëndimore.
Shokë me Avni Rustemin dhe Neço Mukën, u vendos kundër qëndrimeve ekstreme zogiste, sidomos nga që e braktisi Atdheun në momentin më kritik. Ai, me 19 bashkëfshatarë, doli i armatosur, për ta pritur me lufte okupatorin, u aktivizua ne Këshillin Nacional Çlirimtar, përkrahu luftën, mbrojti fshatin nga shfarosja gjermane, u vendos përkrahë fitimtarëve dhe përkrahu ndryshimet dhe përparimet e vendit, si arsimtar shembullor dhe i dekoruar, si luftëtar i vijës së parë.
Duke kujtuar veprën e “ Mësuesit të Merituar” të shkon mendja te kontributi i madh i tij për arsimin dhe shqiptarinë dhe çudite pse ai, kështu, i krahasuar me rrallë të tjerë nuk shpallet “Mësues i Popullit” dhe pse asnjë shkollë nuk mban emrin e tij, kur me emrin Janko Pali do nderohej jo vetëm fshati i tij Qeparo, jo vetëm Vlora, po dhe Tirana e mbarë Shqipëria.!(Luan Çipi)

No comments:

Post a Comment