Shën Kolli

Shën Kolli

20110726

Diçka për LEFTER ÇIPËN


Lefter Çipa është një ndër poetët më të shquar shqiptarë në vitet 1997-2008. Autor i 18 librave të botuar me poezi dhe një kolane në proces redaktimi për botim. Shumicën e librave të këtij autori tipologjik i ka botuar Shtëpia e njohur botuese "TOENA" në Tiranë. Ndër librat më të qarkulluar të këtij autori me poezi janë : "Bejkë e bardhë", "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri moj ballëhapur", " Këngët e Ruzanës", "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën prapë do të ngrihem", "Kënga që tret lotin", "Këngët e Akroqeranit" etj.

Konsiderohet "princi i sotëm" i polifonisë shqiptarë. Autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si "Bejkë e bardhë", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Shqipëri pse të qan syri", "Zoga kaçake në male", "Këngë kurbeti", "Vito Pëllumbesha", "Hënëz e qiellit të gjerë", "Moj unaza gur jeshile", "N sokak të ngushtë", "O shokë vdekça nga kënga", "Lundroj në lundrën e këngës", "Kënga e manushaqes", " Zonjë e bukurisë", etj.

Ky autor ka qënë pjesmarrës me krijimet e veta në 6 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qënë i lauruar në çdo Festival Kombëtar.

Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat e tjera arbërore. Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kulturologjik kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën.

Lefter Çipa mbahet mend si bashkëorganizatori nismëtar i trios së famshme Vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori.

Kanë thënë për Lefter Çipën

“...Në atë breg shqiptar gurin e lëmuar të detit, mund ta quash edhe Lefter Çipa...” - Dritëro Agolli

"A mund të harrohet Nase Beni dhe poeti popullor më i shkëlqyer dhe i famshëm i Shqipërisë së sotme, pilurioti Lefter Çipa ? A mund të harrohet Katina Bejleri, kjo këngëtare e madhe e Himarës ? Në shtëpinë e Lefter Çipës pashë me sytë e mi pllakën matricë të gramafonit, ku më 1924 në Paris, Neço Muko incizoi kryeveprën "Vajza e Valëve". M'u drodhën duart kur e preka këtë pllakë. Ajo, një ëndërr përralle, kam në kokë idenë që të bëhet një skulpturë viganë e "Vajzës së Valëve" për t'u vendosur mbi një platformë mbi sipërfaqen e Detit Jon. Kjo do të bënte përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu siç bën edhe Statuja e Sirenës së Andersenit, e vendosur mbi ujërat e Kopenhagës. Kjo statujë do të na kujtonte mallin, apoteozën e dashurisë, tragjeditë e shpresën…. …Nuk di asnjë rast tjetër në krijimtarinë popullore të kultivuar artistikisht, si njeriu i talentuar dhe atdhetar Lefter Çipa..." - Moikom Zeqo

"...Në brigjet himariote, rron dhe këndon bardi popullor, Lefter Çipa, më i madhi ndër të gjallët dhe ndoshta i fundit me hove dhe shkëndijime të reja të ligjërimit popullor..." - Xhevahir Spahiu

"...Lefteri ka një krijimtari të pasur në sasi kohët e fundit. Kritika ka shkuar të bëjë një gjumë vdekjeje e nuk i dihet se kur do të zgjohet. Lefteri bën punën e tij. Po pavarësisht sasisë, poezia e tij më e mirë, seç ka atë qasje, aq feminore dhe të virgjër e njëherësh, aq mjeshtërore ndaj fjalës, vargut e ritmit, sa të zgjon kureshtjen e thellë për këtë princ gjuhëpikuar të fjalës siç e quan me të drejtë ai veten. Një princ që ka hyrë në garë me veten. Nuk do t’i zërë sërën a vendin dikujt tjetër. As që i shkon kjo ndërmend një princi, një himarioti si ai." - Sadik Bejko

"...Në Breg të Himarës, përveç detit, ullinjve, portokalltëve të fishkura dhe maleve Akrokeraune, do të gjej ata njerëz dhe njeriun e veçantë, Lefter Çipa..." - Aleksandër Zoto (1980)

"...Këngët e Bregut tonë kanë gjetur një bilbil. Edhe të të them det, edhe të të them koral apo guaskë, prapë nuk i ngatërroj gjërat..." - Petro Marko (Bisedë në vitin 1986)

"...Ky fakt i bukur, që këngët e tij këndohen, jo vetëm nga Katerina dhe Grupi i Pilurit, e bën poezinë e Lefter Çipës më fatlume se të shumë poetëve të tjerë dhe jep shkas për të hapur bisedën për këtë poezi... Poezia e Lefter Cipës është në shtratin e gjerë, të mbarë poezisë sonë, por ajo në këtë lumë të madh, bie ujë të freskët të gurrave, të maleve tona dhe e bën këtë lumë më të pastër akoma. Ajo është një rremb i ri i gjithë poezisë..." - Anastas Kondo

"...Lefter Çipa që nga viti 1964 është bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit e më pas (1979) i Institutit të Kulturës Popullore. Në arkivin e shkruar të IKP ndodhen qindra faqe me materiale të mbledhura nga ky autor. Veç kësaj, ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspedita etno-folklorike të zhvilluara në krahinën e Labërisë dhe sidomos në fshatrat e Bregut të Himarës. Është autor i një filmi dokumentar me përmbajtje etno-folklorike..." - Prof. Dr. Afërdita Onuzi

"...Poezia e Lefter Çipës është e lëmuar, si zajët e Bregut kur i çik shkuma, e thellë, si honet e maleve të Vetëtimave, e zjarrtë, si prushi i yjeve që digjen valëve të Jonit..." - Zimo Krutaj

"...Lefter Çipa mbetet autori i vargjeve të paarritshme. Lefteri është i veçantë në Himarë, të kujton disi Lasgushin, që shëtiste edhe ai buzë liqenit me kostumin e tij. S’bëjmë krahasime, secili le të mbajë madhështinë e vet, po ja që të kujtojnë njëri-tjetrin, njëri buzë liqenit e tjetri buzë detit..." - Agron Çobani

"... Lefter Çipa dhe kënga, kanë lidhje të dyanshme, si një binom. Nuk mund të kuptohen sot pa njëri-tjetrin. Me këngën e fuqishme piluriote, Lefteri është binjak. Binjak me atë këngë, që edhe në Dibër, këndohet aq bukur sa në Labëri dhe Himarë. Lefteri e ngriti këngën labe, e bëri poezi, i dha shpirtin e tij. Këngëtari i zjarrtë i brigjeve të Jonit, fitoi famë me "Bejkën e bardhë", në vitet shtatëdhjetë. Ky poet i veçantë popullor, është simbol i atdhetarit shqiptar në Himarën tonë të lashtë dhe të re..." - Albert Abazi

"...Lefter Çipa, ky njeri i dobët dhe krenar, për dhjetëra vjet tashmë, i mban në krahë të dy grupet, të Pilurit dhe Himarës, për t’i çuar nga festivali në festival. Me të, grupet e kulmit të polifonisë shqiptare vazhdimisht fitojnë..." - Enton Abilekaj

"Ta vecosh këngën e Lefterit nga kënga popullore, është vështirë, se ato janë të shkrira tek njëra-tjetra, i bëjnë dritë njëra-tjetrës, zbukurojnë njëra-tjetrën. Ndaj dhe këngët e Pilurit tashmë janë kaq të përhapura e dëgjohen kudo me ëndje. Ndaj dhe Lefteri pa pushim mpreh e mpreh penën dhe këngë të reja i burojnë nga shpirti prej sedërlliu, plot nerv krijues... Buzë më buzë e paç zemrën me gaz e këngë, o Lefter Çipa !" - Odise Goro

"...Në fshatin tim të lindjes, Finiq, tipike është kënga polifonike. Ndaj ajo më pëlqen shumë. Që në fëmijëri këngët e Lefter Çipës kanë qenë për mua një ushqim shpirtëror i jashtëzakonshëm. I kam adhuruar shumë këngët e Bregut, të Pilurit. Janë këngë që kanë patos, lirizëm, dinamikë, ritëm e melodi. Janë këngë të pavdekshme. Kur jam në qejf për shembull këndoj këngët e Lefter Çipës “Tundu Bejkë e bardhë tundu”, "28 mijë yje", “Këngët e Atdheut tim” etj..." - Irini Qirjaqi

"...Emri i Lefter Çipës përfaqëson një individualitet të fuqishëm të njohësit, vlerësuesit, bartësit, krijuesit, zhvilluesit dhe pasuruesit të mëtejshëm të krijimtarisë folklorike. Nga shqyrtimi i gjithë krijimtarisë së tij, përfshirë në folklor, figura e tij e spikatur mund të shërbejë si një shembull i gjallë, konkret dhe tipik për çdo studiues që kërkon të nxjerrë në pah aktet krijuese dhe qarkulluese të folklorit shqiptar..." - Prof. Dr. Agron Xhagolli

"...Poezia e Lefter Çipes, në kufirin midis krijimit popullor dhe të kultivuar, ruan të gjerë shpirtin poetik të lindur, qëkurse njeriu këndoi. Ajo i flet zemrës dhe mendjes. Poezia e tij është ligjërim i ëmbël dhe plot mendime, që ecin me kohën, plot lirizëm e gëzim prej dashurive, trishtim prej padrejtësive dhe largimit nga idealet, revoltë ndaj së keqes. Poezia e këtij poeti, që dëgjon dallgët e detit dhe sheh vetëtimat kur shkrepin në mal, të shpie më afër natyrës dhe zemrës shqiptare..." - Dalan Shapllo

"...Shumë gjëra të tij ende s’janë bërë të njohura për botën e kulturës shqiptare. Ato që ende s’dihen nga arkivi dhe fondi i Lefter Çipës në Himarë, janë të barabarta me një muze... Janë gjëra që mbartin befasi dhe pasuri të pazakontë, që plotësojnë antologjinë e argumenteve historikë dhe materialë për këtë zonë, ku ndeshet enigma me provën reale. Etnografia shqiptare, folkloristika dhe më së shumti poezia orale në banesën e Lefter Çipës kanë një muze tjetër të palegalizuar zyrtarisht dhe që administrata e kulturës sonë fatkeqësisht s’do të ketë kurrë vullnetin për ta inventarizuar..."

Poeti i njohur Lefter Çipa ka hedhur në qarkullim librin e ri me poezi "Princi i dashurisë". Një përmbledhje e re ku përfshihen lirika të pazakonta. Në parathënien e librit studiuesi i njohur, Prof. Shaban Sinani ndër të tjera shkruan: " Nga forma dhe përmbajtja poezia e Lefter Çipës të kujton kangjeljet e Jeronim de Radës, poezi dhe këngë njëherësh. Ajo është një poezi që ka frymën e detit,frymën e Levit, ashtu si poezia e Petro Markos, Xhevahir Spahiut, Fatos Arapit, Aruian Lekës: shumë pak për një histori letërsie me pesë shekuj. Ajo është poezi e një njeriu që ka provuar të sillet me jetën në mënyrë heroike dhe nuk ia ka dalë;ka provuar ta marrë me të qeshur realitetin dhe, gjithashtu, nuk ia ka dalë dhe së fundmi, e ka gjetur zgjidhjen: gjithçka është kalimtare dhe e pavlerë në këtë botë, veç dashurisë."

No comments:

Post a Comment